Burimet historike dëshmojnë se në epokën e hekurit territori i Shqipërisë banohej nga ilirët, një nga popullsitë e mëdha të Evropës së atëhershme, që shtrihej në gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Rreth fundit të shekullit XII ose fillimit të shekullit XI para erës sonë në territorin e tyre shfaqen për të parën herë objekte prej hekuri. Futja në përdorim e këtij materiali të ri, që i dha emrin epokës shënon, edhe për ilirët nismën e një periudhe të re historike. Hekuri kishte cilësi të pakrahasueshme ndaj lëndëve të para të njohura deri atëhere për përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Si i tillë, ai çoi në rritjen e rendimentit në sfera të ndryshme të ekonomisë, në zhvillimin e mëtejshëm të këmbimit, në rritjen e pasurisë shoqërore, në thellimin e diferencimit shoqëror, në formimin e federatave fisnore si forma të organizimit politik. Në tërë përmbajtjen e vet kjo periudhë e historisë së ilirëve karakterizohet, kështu, nga shthurja e plotë e organizimit fisnor dhe nga përgatitja e kushteve për lindjen e skllavopronarisë dhe të shteteve skllavopronare ilire. Ky proces nuk u krye njëlloj në të gjithë territorin e gjerë ilir. Më shpejt përparuan popullsitë që banonin në ultësirën bregdetare dhe në luginat e pllajat me kushte më të mira natyrore, ndërsa më ngadalë ecnin fiset e zonave të thella e të varfra malore. Njohuritë tona për këtë periudhë mbështeten kryesisht në të dhënat arkeologjike, por këtu vijnë në ndihmë për herë të parë edhe burimet e shkruara historike, të cilat u takojnë kryesisht ilirëve të Jugut.